LAMTUMIRË RAMAZAN
Zoti ynë thotë në Kuranin fisnik: “Thuaj (o Muhamed) besimtarëve: me mirësitë e Zotit, me mëshirën e Tij të kënaqen. Ato janë më të mira se pasuria që grumbullojnë”.
Muaji i Ramazanit erdhi pa shumë zhurmë. Ai u fut lehtë dhe butë në shtëpitë tona, në xhamitë tona, në zemrat tona dhe i ndryshoi të gjitha këto. Ndërsa tani në fund duhet ta pranojmë, se ky mik po ikën. Ai erdhi dalëngadalë, por po ikën shumë shpejt dhe ne nuk e kapim dot. Ramazani po ikën dhe tani do të mbetemi vetëm ne me shejtanin tek për tek. Vallahi nuk është e lehtë, se ai është armik shumë i fortë, ndërsa Ramazanin e kishim shok, e kishim aleat shumë të fortë. Por ne shpresojmë se mëshira e Zotit do të na përfshijë dhe e lusim Zotin të na ndihmojë në luftën tonë kundër shejtanit të mallkuar.
Sot ne e respektojmë një mik, që erdhi prej Zotit të gjithësisë, për të na kujtuar se kush jemi ne, kush është Allahu (xh.sh). Ky mik largohet dhe ne shpresojmë të takohemi përsëri me të vitin tjetër, por jeta është në dorën e Allahut (xh.sh).
Ne e respektojmë këtë mik, se ai na mësoi shumë gjëra. Ramazani na mësoi se sa ëmbël kalon jeta, kur jetohet për Allahun (xh.sh). Ramazani na mësoi, se sa i lehtë ndihet shpirti, kur barku boshatiset pak dhe njeriut i duket sikur po fluturon. Ramazani na mësoi, se sa të fortë jemi, kur jemi bashkë. Ramazani na kujtoi edhe një herë kënaqësinë e namazit të natës. Njerëzit vinin në xhami, duke çarë errësirën e natës, por për të ndriçuar zemrat e tyre dhe për të respektuar shtëpitë e Allahut (xh.sh). Ramazani na mësoi, se ç`do të thotë të futesh në garë për sevape. Gjatë Ramazanit, çdo musliman mundohet ta shfrytëzojë kohën e tij në maksimum, duke u angazhuar me punë, të cilat e kënaqin Allahun (xh.sh). Dikush shtron iftare, dikush jep sadaka, dikush lexon më shumë Kuran, dikush falet më tepër se zakonisht. Kjo është konkurenca për të fituar kënaqësinë e Allahut (xh.sh). Ramazani na mësoi, se nuk ishte e vështirë të rrije një orë më tepër pa gjumë dhe këtë orë t`ia dedikoje Zotit me adhurim.
Por me mbarimin e muajit të Ramazanit, shejtani është më i zemëruar se asnjëherë tjetër. Ai i ka parë njerëzit që kanë vrapuar drejt Zotit. Ai nuk ka pasur mundësi të bëjë diçka kundër kësaj, sepse ka qenë i lidhur, ama e ka mbledhur të gjithë inatin e një muaji dhe pret momentin e duhur për ta kompensuar këtë muaj. Ai punon për t`i larguar njerëzit nga rruga e Zotit, prndaj edhe ne duhet të punojmë shumë, që të qëndrojmë në këtë rrugë dhe të ftojmë edhe të tjerët në të.
Pyetjet që shtrohen këtu janë:
1- A do të mbyllen Kuranet tona, të cilët u lexuan për plot një muaj?
2- A do të thahen lotët e syve tanë, ata lot që u derdhën për Allahun (xh.sh)?
3- A do t`i kthehet gjuha përgojimit, pasi kujtoi për një muaj rresht Allahun (xh.sh)?
4- A do t`i kthehemi ne jetës dembele dhe të pakuptimtë, pasi kuptuam se sa bukur ishte të punosh në rrugën e Zotit?
5- A do të mbushen barqet tona më shumë se asnjëherë tjetër, duke ia zënë frymën edhe njëherë shpirtit, i cili për një muaj u ndje më i lirë?
Këto pyetje janë të frikshme. Përgjigjet e tyre mbeten thellë në zemrat tona. Ne nuk duhet të bëhemi si tullumbaci, të cilin kur e fryn për herën e parë, fryhet shumë. Herën e dytë fryhet më pak, herën e tretë edhe më pak, saqë shkon deri aty sa gati – gati nuk e fryn dot, pasi ke frikë se mos pëlcet menjëherë. Kshtu ndodh edhe me atë njeri, i cili arrin majat në muajin e Ramazanit dhe pas këtij muaji zbret menjëherë. Me lejen e Zotit kjo nuk do të ndodhë me muslimanët.
Nuk duhet të bëhemi si ajo grua, e cila punon gjithë natën për të bërë një triko dhe në mëngjes e prish atë që ka bërë. Kështu ndodh edhe me atë njeri, që harron muajin e Ramazanit dhe i kthehet jetës që bënte para këtij muaji. Atëherë ç`vlerë pati ky muaj për këtë njeri?! Nëse do ndodhë kjo, atëherë ne mund të themi vetëm që Ramazani thau barqet tona, na la pa gjumë e asgjë tjetër. Zoti na ruajt nga kjo gjë.
Kush ka marrë garanci prej Zotit, se Ai ia ka falur gjynahet në muajin e Ramazanit?! Askush nuk e di me saktësi këtë gjë. Por edhe sikur të merrnim garanci, a nuk duhet të marrim si shembull profetin Muhamed (a.s), i cili falej gjithë natën, derisa i ënjteshin këmbët dhe kur Aishja (r.a) e pyeti: “O profet i Zotit! Pse e mundon kaq shumë veten tënde. A nuk t`i ka falur Zoti gjynahet?”, ai u përgjigj: “O Aishe! Nëse Zoti m`i ka falur gjynahet, a nuk duhet të jem falenderues ndaj Tij?!” Atëherë le ta falenderojmë Zotin dhe ta vazhdojmë lidhjen me Allahun (xh.sh).
Thuhet se një njeri erdhi tek profeti (a.s) dhe i tha: “O profet i Zotit! Ma thuaj një fjalë, që po ta them atë, të mos kem nevojë të pyes njeri tjetër pas teje”. Profeti (a.s) i tha dy fjalë shumë të lehta: “Thuaj: I kam besuar Zotit dhe pastaj qëndroji besnik kësaj fjale”. Burri tha: “O profet i Zotit, po këtë fjalë e thonë të gjithë njerëzit?” Profeti (a.s) tha: “Vallahi mirë e ke, të gjithë njerëzit e thonë këtë fjalë, por pak prej tyre i qëndrojnë besnikë asaj”. Këtë fjalë e thanë edhe popujt që ishin para nesh, por nuk i qëndruan besnik kësaj fjale.
Jeta na mësoi, se shkolla nuk mbaron për një ditë, por duhen vite të tëra, profesioni nuk mësohet sa hap e mbyll sytë, gradat dhe karriera nuk vijnë pa mund, djersë e përpjekje. Kështu edhe Ramazani na mëson, se xheneti nuk fitohet për një muaj, por duhet punë e madhe, sepse xheneti është mall shumë i shtrenjtë. Të jemi të sigurt, se atmosfera e Ramazanit do të na mungojë shumë. Por dijeni se dyert e Allahut (xh.sh) nuk mbyllen pas Ramazanit. Ato vazhdojnë të mbeten të hapura për njerëzit, që trokasin në ato dyer. Ndoshta nuk do të bëjmë kaq shumë punë të mira sa kemi bërë në Ramazan, por nuk bën që t`i lemë fare punët e mira. Prandaj le ta vazhdojmë punën e mirë, edhe nëse është e paktë. Islami nuk është feja e atyre, që njëherë fluturojnë në qiell e pastaj zbresin menjëherë në tokë, por e atyre që e vazhdojnë punën dalëngadalë. Islami nuk bie pre’ e punëve të mëdha, por të nxit t`i bësh edhe punët e vogla. Ndoshta ti e fiton mëshirën e Allahut (xh.sh) duke kryer ato punë të vogla.
Profeti (a.s), i cili ishte mjeku i zemrave tona, thotë: “Puna më e mirë tek Zoti është ajo që bëhet vazhdimisht, edhe nëse është e vogël”. Ne mund ta bëjmë vazhdimisht një punë shumë të vogël, por mund të ndodhë që ajo të na shpëtojë nga zjarri i xhehenemit. Po ashtu mund të bëjmë një punë shumë të madhe, por pastaj gjithçka mbaron. Nëse hedhim tonelata me ujë mbi një gur, uji nuk i bën asgjë atij, ndërsa kur uji bie vazhdimisht mbi gurin pikë – pikë, ai do të bëjë vrimë në të. Prandaj ne duhet të punojmë në Ramazan dhe pas tij, sepse Allahu (xh.sh) i pranon punët tona në çdo kohë.
E dimë me siguri, se ata agjërues, të cilëve u djeg zemra për këtë fe, do ta pyesin veten: “A na e pranoi Zoti agjërimin tonë, a i fali Zoti gjynahet tona, a na nxori nga ky muaj pa gjynahe, ashtu siç na lindën nënat tona?” Po ashtu ka edhe shumë të tjerë, të cilët thonë: “Shyqyr që mbaroi muaji i Ramazanit”.
Ramazani është si puna e tregut. Kur tregu mbaron, pjesa më e madhe e njerëzve mbledhin plaçkat dhe shkojnë në shtëpi. Por ka edhe disa njerëz, të cilët pyesin veten: “More çfarë u bë në këtë treg, sa fitova e sa humba”. Pra pyetja “A e pranoi Zoti punën tonë” shpeshherë mbetet pa përgjigje. Kësaj pyetje nuk i dhanë përgjigje as shokët e profetit (a.s).
Por ka disa shenja, që e bëjnë njeriun ta ndjejë veten më rehat. Qëllimi i Ramazanit është që ne të bëhemi më të devotshëm, më besimtarë, më afër Zotit, më afër vetes, më afër të varfrit dhe jetimit, shkurt më afër të mirës dhe më larg të keqes. Si do të reagosh pas Ramazanit? A i ke përmirësuar mërrëdhëniet e tua me Zotin dhe me njerëzit? A ndjehesh më ndryshe? Nëse e ndjejmë ndryshimin për mirë, shpresojmë që Zoti të na e ketë pranuar adhurimin që kemi bërë në këtë muaj. Përndryshe, le t`i themi vetes: “Zoti na faltë për rrëshqitjet tona dhe na udhëzoftë në të ardhmen drejt së mirës”. Sidoqoftë ne themi atë që ka thënë profeti (a.s): “O Zot! O Ti që i rrotullon zemrat e njerëzve, forcoje zemrën time në fenë tënde”. Le t`i lutemi Allahut (xh.sh), që t`i forcojë zemrat tona në Ramazan dhe pas tij.
Kur vijnë 2-3 ditët e fundit të Ramazanit, na duket sikur mbaroi ajo që duhet të mbaronte. Duket sikur ka kaluar nata e Kadrit dhe mundësia për të marrë sa më shumë sevape. Por unë them që Ramazani duhet vlerësuar deri në fund, jo vetëm për faktin se ne nuk e dimë se kur është nata e Kadrit, por sepse profeti (a.s) tha: “I gjithë Ramazani është mëshirë”. Profeti (a.s) u foli shokëve të tij për Ramazanin dhe tha: “Kur të vijë fundi i Ramazanit, Zoti i fal të gjithë ata që kanë agjëruar për Allahun (xh.sh) dhe ata dalin pa gabime, ashtu siç i lindën nënat e tyre”. Shokët e pyetën: “A e ke fjalën për natën e Kadrit o profet i Zotit?” Profeti (a.s) tha: “Jo, ajo është natë tjetër. Unë e kam fjalën për natën e fundit të Ramazanit. A e keni parë sesi punëtori merr shpërblimin kur mbaron puna?! Ashtu edhe agjëruesi merr shpërblimin e agjërimit të tij në fundin e Ramazanit”.
Prandaj le t`i shtojmë punët tona, të mos i braktisim xhamitë, të mos e lemë leximin e Kuranit, të mos neglizhojmë asgjë nga ato që bëjmë, por ta vazhdojmë punën e mirë deri në fund të Ramazanit, madje edhe pas tij.
Zoti e pranoftë agjërimin tonë, i faltë gjynahet tona. Zoti e bëftë Bajramin festë për zemrat tona, festë për shtëpitë tona, festë për të gjithë muslimanët kudo që janë. E lusim Zotin, që të na ketë bërë njerëz më të mirë në këtë muaj dhe t`i ketë forcuar zemrat tona. E lusim Zotin, që të na trajtojë të gjithëve me mëshirën e Tij të pafundme dhe të na nxjerrë nga ky muaj me gjynahe të falura.
A M I N